Lajme

Kurti: Rritjen ekonomike dhe të hyrat buxhetore po i ndajmë me qytetarët e familjet!

12/22/2024 15:45
nga:G C

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar përsëri pas lajmit për 100 euro shtesë nga Qeveria, raporton GazetaBlic.

Kurti përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se si vitin e kaluar, të gjithë fëmijët e moshës 0-16 vjeç që janë pranues të shtesave mujore për fëmijë, do të përfitojnë 100 euro shtesë nga Qeveria.

Përveç fëmijëve, edhe pensionistët do të përfitojnë 100 euro shtesë, një masë për të cilën kryeministri Kurti tha se po aplikohet për herë të pestë gjatë mandatit të kësaj qeverie.

Kryeministri Kurti theksoi se kjo masë vjen pas një performance të shkëlqyer ekonomike dhe rritje të të hyrave buxhetore, të cilat po ndahen me qytetarët dhe familjet në formën e mbështetjeve direkte.

E plotë:

Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet të gjithë fëmijët e moshës 0-16 vjeç e që janë pranues të shtesave mujore për fëmijë, do të përfitojnë nga shtesa e fundvitit në vlerë 100 euro. Kjo pra është hera e dytë që po ndajmë një shtesë të tillë mbështetëse për fëmijët tanë, krahas dyfishimit dhe trefishimit të shtesave mujore për ta që e bëmë në gusht të këtij viti.

Përfitues të shtesës prej 100 euro do të jenë gjithashtu edhe pensionistët. Kjo është hera e pestë brenda mandatit tonë që një mbështetje e tillë shpërndahet tek pensionistët tanë, për të cilët krahas shtesave të njëhershme, kemi rritur pensionet dy herë gjatë mandatit, fillimisht pensionin bazik deri në 33% dhe tash së fundmi për 20% për të gjithë kategoritë pensionmarrëse.

Kemi patur performancë të shkëlqyer ekonomike dhe rritje të të hyrave buxhetore. Të mirat dhe rritjen, po e ndajmë me qytetarët e për familjet.