I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për REL ka deklaruar se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
“Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, ka deklaruar Escobar.
Në lidhje me këtë deklaratë të Escobar ka dhënë një koment të shkurtë për “Gazeta Blic”, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
Dreshaj tha se kjo nuk është mirë për Kosovën dhe paralajmëroi masa të reja.
“Kjo nuk është mirë për Kosovën, s’i duhet Kosovës. Ka gjasa që mund të kemi masa të reja” tha shkurt Dreshaj për “Gazeta Blic”.
Escobar ka zhvilluar dje takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ku temë kryesore e diskutimit ka qenë rregullorja e re e BQK-së.
Një ditë më parë ai ka patur takime edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryetarët e partive opozitare.
/Gazeta Blic/