Kryeministri, Albin Kurti me rastin e 35-vjetorit të Grevës së Minatorëve tha se në këtë ditë kujtojmë heroizmin dhe sakrificën e tyre, që Kosovës i shërbyen me djersën dhe me gjakun e tyre.
Kurti ka thënë se minatorët nuk u dorëzuan asnjëherë para të keqes dhe me vendosmërinë e tyre i morën vëmendjen botës demokratike.
“1300 minatorë të Trepçës të ngujuar në grevë urie…i parashtruan 10 kërkesa, ndër të cilat që fati i shqiptarëve në Kosovë e Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara…Minatorët tanë nuk u përçan as nuk u dorëzuan para të keqes dhe me vendosmërinë e tyre i morën vëmendjen botës së qytetëruar e demokratike…Ne sot kujtojmë heroizmin dhe sakrificën e zejtarëve që Kosovës i shërbyen edhe me djersën dhe me gjakun e tyre. Mbi 130 minatorë ranë dëshmorë në ballë të Luftës Çlirimtare dhe si martirë të panënshtruar ndaj gjenocidit të Serbisë mbi popullin tonë“.
Tutje, Kurti tha se Qeveria po e përkrahë Trepçën duke i dhënë 20 milionë euro kredi për investime në teknologji të re.
‘‘Kemi mbështetur Trepçën me mjetë për investime kapitale dhe kapital pune. Janë dhënë 25 milionë euro subvencione gjatë këtyre 3 viteve të fundit dhe po e përkrahim sërish Trepçën me kredi 20 milionëshe për të investuar në teknologjinë e re, e cila e rrit efiçiencën e prodhimin, e ngrit performancën operative-financiare, përmirëson kushtet e punës, por edhe hap vende të reja të punës…“, ka deklaruar Kurti./teve1.info