Lajme

Kurti priti në takim Shefen e UN Women- U rikonfirmua përkushtimi i dyanshëm ndaj përmirësimit të pozitës së grave!

10/04/2024 18:48
nga:Y I

Kryeministri, Albin Kurti, priti sot në takim Shefen e UN Women në Kosovë, znj. Vlora Nushi.

Takimi u fokusua në përpjekjet e përbashkëta për të avancuar agjendën e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave në Kosovë, drejt një shoqërie më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse njofton ZKM raporton ‘Gazeta Blic’.

“Në këtë takim, u rikonfirmua përkushtimi i dyanshëm ndaj përmirësimit të pozitës së grave dhe vajzave në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edukimin, tregun e punës dhe pjesëmarrjen politike.U vlerësua bashkëpunimi i ngushtë mes Qeverisë së Kosovës dhe UN Women, në 25-vjetorin e pranisë së UN Women (UNIFEM) në Kosovë, në përpjekjet për promovimin e të drejtave të grave dhe krijimin e një mjedisi ku gratë dhe vajzat të kenë mundësi të barabarta” thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Gjatë takimit të përbashkët ku prezent ishte dhe drejtorja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, u përmend edhe 30-vjetori i Platformës së Pekinit, një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e lëvizjes globale për barazinë gjinore.

U diskutua për përparimin e arritur në Kosovë, që nga miratimi i kësaj platforme historike, por gjithashtu u theksua nevoja për të intensifikuar përpjekjet për të adresuar sfidat, përfshirë parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore, si dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje.