Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, dhe Bordin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ku diskutuan për vështirësitë e sfidat në sistemin shëndetësor.
Përmes një njoftimi për media thuhet në këtë takim u shqyrtuan gjashtë pika të rëndësishme ndër to edhe reforma e sistemit shëndetësor.
“Në këtë takim u diskutuan gjashtë tema kapitale: Ndarja dhe bashkëpunimi publiko-privat në sektorin e shëndetësisë, sistemi informativ shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore, reforma e sistemit shëndetësor, në veçanti e ShSKUK-së, për fuqizimin e QKUK-së, të spitaleve rajonale dhe kujdesit parësor shëndetësor, raporti i sektorit publik të shëndetësisë, si shërbim e kujdes profesional me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit, si vatër e kërkimit, hulumtimit dhe studimit shkencor, nevoja për spitalin rajonal të Prishtinës, raporti i MSh-së dhe ShSKUK-së me pesë odat e profesionistëve shëndetësorë: të mjekëve, të infermierëve, të stomatologëve, të farmacistëve dhe të fizioterapeutëve”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se kryeministri shprehu zotimin e tij për mbështetje të sektorit të shëndetësisë dhe për angazhim të shtuar për këtë fushë tejet të rëndësishme për shëndetin, jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.


