Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka mirëpritur në Zyrën e Kryeministrit një grup prej rreth 25 studentësh nga mërgata, të cilët janë të angazhuar në rrjete të ndryshme akademike dhe profesionale në shoqërinë gjermane dhe zvicerane.
Në mesin e tyre, sipas Kurtit, ishin përfaqësues të AYO – Albanian Youth Organization e.V., DORA e.V., VaS (Vereinigung albanischer Studierender NRW e.V.) nga Gjermania, si dhe të Shoqatës Studenti nga Zvicra.
Kurti ka thënë se gjatë bashkëbisedimit me studentët kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend, rolin e të rinjve dhe të rejave mërgimtarë, si dhe mundësitë për një bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe të rinjve jashtë vendit.
“Idetë që janë zhvilluar nga përvojat e tyre në studime dhe në angazhimet shoqërore jashtë vendit janë një potencial i rëndësishëm për progresin e vendit tonë.”
Ai ka theksuar se detyra e institucioneve është krijimi i kushteve dhe mundësive që të rinjtë nga mërgata të kontribuojnë dhe të bashkëpunojnë për të ardhmen e tyre në Kosovë.
“Detyra jonë është të krijojmë kushtet dhe mundësitë që ata të kontribuojnë e të bashkëpunojnë për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në Kosovë.”


