Lajme

Kurti pret në takim Hykollin: S’përmendet nëse takimi prodhoi ndonjë sukses

09/10/2022 22:48
nga:G C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati zhvilluan takimin e radhës me Kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli.

Për më shumë se një orë u diskutua për grevën e shpallur nga BSPK-ja, për kërkesën sindikale për shtesën prej 100 euro dhe për veprimet e deritanishme të Qeverisë në trajtimin e kërkesave tjera paraprake të sindikatave.

Kurti e njoftoi Hykollin se Projektligji për Pagat e Sektorit Publik këtë javë ka përfunduar fazën e konsultimeve paraprake dhe se gjatë javës që po vjen do të dalë në konsultime publike, teksa e ftoi BSPK-në që të bëhet pjesë e këtyre konsultimeve.

Mes tjerash, Kurti i tha Hykollit se Qeveria ka treguar gatishmëri për të adresuar kërkesa sindikale që trajtojnë në mënyrë sistematike problemet e punëtorëve të sektorit publik.

“Si dëshmi mori vendimet e MAShTI-t për të ndarë 1.7 milionë euro për 300 mësimdhënës me probleme shëndetësore, për buxhet shtesë për mësimdhënësit që kualifikohen si tepricë ashtu që mos të mbesin pa punë, trajtimin e barabartë të mësuesve klasorë dhe lëndorë në arsimin e mesëm të ulët, eliminimin e padrejtësive ndërmjet të gjitha kategorive të punëtorëve të arsimit dhe renditjen e mësimdhënësve me koeficientin më të lartë ndonjëherë sipas projektligjit të ri” thuhet në kumtesën e Zyrës së Kryeministrit.