Kryeministri Albin Kurti mirëpriti në takim një delegacion të Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), të kryesuar nga senatorja belge Anne Lambelin.
Siç bën të ditur zyra për media e Kurtit, gjatë takimit u konfirmuan vlerat e përbashkëta që Kosova dhe Asambleja Parlamentare të Frankofonisë ndajnë, sikurse janë diversiteti kulturor dhe gjuhësor, të drejtat e njeriut e solidariteti.
“Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin dhe nënvizoi fushën e filmit si fushë me potencial të bashkëpunimit, dhe mësimin e gjuhës frënge si instrument për të njohur dhe përafruar edhe më shumë popujt e dy vendeve, si dhe për të rritur mobilitetin studentëve dhe profesionistëve në shërbim të shkëmbimeve kulturore, rritjes së kompetencave dhe zhvillimit socio-ekonomik. Ai shprehu vullnetin që institucionet publike arsimore të rrisin kapacitetet e mësimit të gjuhës frënge”.
“Anëtarët e delegacionit falënderuan kryeministrin për mikpritjen dhe takimin, dhe shprehën kënaqësinë që për herën e parë APF-ja zhvillon një vizitë të tillë disa ditësh në Kosovë”.