Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 milionë eurove nga pakoja e re financiare, raporton gazeta Blic.
Molliqaj përmes një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se kriza nuk i prek të gjithë njëjtë dhe se ndihma nuk ndikon njëjtë. Për çka thekson se, trajtimi i njëjtë i njerëzve që janë në situata aq të ndryshme e rritë pabarazinë dhe ia humb efektin parave.
Postimi i plotë i tij:
Të gjithë njëjtë nuk është drejt!
Një punëtor i sigurimit ose një shitës në një qendër tregtare paguhet 180-200 euro në muaj. Ata do t’i ndihmon njëjtë sikur menaxherët që marrin 1000 ose 1200 euro. Të gjithë nga 100 euro.
Një student i Universitetit Amerikan që arrin ta paguajë 6000 euro vitin nuk mund të trajtohet njëjtë me një student nga Universiteti i Prishtinës që mezi e paguan konviktin e menzen. I pari i harxhon këto 100 euro për një natë, tjetri e paguan konviktin për 1 muaj.
As kriza nuk i prek të gjithë njëjtë, por as ndihma nuk na ndikon njëjtë. Trajtimi i njëjtë i njerëzve që janë në situata aq të ndryshme e rritë pabarazinë dhe ia humb efektin parave.


