Lajme

“Kurti po provokon zgjedhje për këtë arsye – VV partia e parë por s’do të mund ta formojë më vet Qeverinë”

05/05/2024 16:55
nga:G B

Njohësi i çështjeve politik, Arton Demhasaj, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Ai ka thënë se pasi qeveria është në fund të mandatit, është mirë që t’i shkojë deri në fund dhe të mbahen zgjedhjet e rregullta, pasi nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme.

“Mendoj që pasi jemi në fund të mandatit të rregullt, hera e parë që pas pavarësisë që një qeveri po i shkon mandatit në fund sepse i ka numrat në Kuvend për ta përfunduar mandatin e rregullt, jam ithtar i asaj që mandati duhet të shkojë deri në fund dhe të mos mbahen zgjedhje të parakohshme sepse nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme tash për tash”, thotë ai.

Por, Demhasaj thekson se është rritur presioni ndërkombëtar për draftin e Asociacionit dhe Kurti po provokon zgjedhje pasi nuk dëshiron që ta marrë vendimin për Asociacionin këtë mandat, andaj nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme mund të jetë për shkak të kësaj.

“Mirëpo marrë parasysh që presioni ndërkombëtar është rritur për draftin e asociacionit, mendoj që kryeministri Kurti me gjasë po provokon zgjedhje sepse nuk po dëshiron që ta marrë vendimin për asociacionin në fund të mandatit të tij, por ai po kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje fillimisht e pastaj me pretendimin që ai e merr sërish edhe një mandat, e që pastaj në mandatin tjetër ta hartojë draftin dhe t’i fillojë procedurat e themelimit të asociacionit. Kështu që me shumë gjasë mund të ketë zgjedhje të parakohshme pikërisht për shkak të rritjes së presionit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit”, vlerëson analisti për Gazeta Blic.

Se si e sheh renditjen e partive në zgjedhjet e ardhshme, Demhasaj thotë se VV është partia e parë momentalisht por që do të ketë rënie të numrit të votave nëse shkohet në zgjedhje me dorëheqje dhe do ta ketë të pamundur krijimin vetë të qeverisë.

“Në bazë edhe të sondazheve shihet që VV është partia e parë momentalisht por pastaj edhe mënyra se si shkohet në zgjedhje të parakohshme mund të ketë refleksione edhe në rezultate. Pra, nëse shkohet në zgjedhje me dorëheqje të kryeministrit apo me mocion nga vetë VV, ajo mund të ketë rënie të votave por deri tani ajo del të jetë partia e parë. Mirëpo ka një rezultat dukshëm më të ulët se në zgjedhjet e kaluara, që nënkupton se edhe nëse fiton, do ta ketë të pamundur që ta krijojë qeverinë vetë dhe ajo do të ketë nevojë për partner, për parti tjera që të bëjë koalicion dhe ta formojë qeverinë, ose pastaj mundësia që nëse partia e parë dështon që ta krijojë shumicën parlamentare për ta krijuar qeverinë, atëherë i jepet mundësia partisë së dytë që t’i grumbullojë votat e tjera dhe ta formojë një qeveri me partitë e tjera”, deklaron Arton Demhasaj./Gazeta Blic/