Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke e injoruar kryeministrin Kurti.
Arifi në një përgjigje dhënë për GazetaBlic, thekson se kjo vërehet dukshëm në takimet e fundit që po zhvillon presidentja Osmani në ëashington.
Madje, sipas Arifit, ShBA-të kanë synim ta mbajnë Kosovën afër, por jo edhe kryeministrin Kurti.
“Po vërehet që ShBA-të janë duke e injoruar kryeministrin Kurti, pra duke e zëvendësuar me takime të nivelit të lartë me presidenten Osmani. Në të njejtën kohë, ShBA-të po dëshirojnë ta mbajnë afër Kosovën, por jo afër Kurtin”, tha Arifi.
Tutje, ai shton se kryeministri Kurti po zëvendësohet me presidenten Osmani.
“Osmani po përdoret si një mjet simulues i raporteve të mira dhe normale në një gjendje të raportorve jo normale mes Qeverisë Kurti dhe ShBA-ve”, përfundon Arifi për GazetaBlic.
Një mendim pothuajse të njëjtë e ka edhe analisti politik, Fidan Ukaj i cili për GazetaBlic thekson se, Kurti po injorohet.
Ukaj potencon se, me takimet e fundit që presidentja po zhvillon po konfirmohet edhe ajo çka kishin potencuar më parë nga ShBA-të, pra se Osmani është garantuesja e marrëdhënieve Kosovë-ShBA.
“Tashmë është e qartë se kryeministri Kurti po injorohet nga partnerët ndërkombëtarër. Në anën tjetër, garantuesja e marrëdhënieve Kosovë-ShBA po ftohet nga Shtetet e Bashkuara dhe nga partnerët ndërkombëtar, me çka po konfirmohet ajo që nga Amerika e kanë thënë: Presidentja është garantuese e këtyre marrëdhënieve, Kurti lëndues i raporteve Kosovë-ShBA”, tha Ukaj për GazetaBlic.