Lajme

Kurti përshendet marrëveshjen 236.7 milionëshe me MCC-në: Vlerat e përbashkëta ndërtojnë marrëdhënien tonë

05/15/2022 00:10
nga:Arsim Buxhovi

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) në Washington.

Kurti, nëpërmjet një cicërrime në Twitter, ka thënë marrëveshja është e dizajnuar t’i ndihmojë Kosovës drejt tranzicionit energjetik dhe transformimit socio-ekonomik.

“Dje, qeveria jonë dhe Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit finalizuan negociatat mbi propozimin prej 236.7 milionë dollarëve amerikanë, për marrëveshjen Kompakt, e dizjanuar t’i ndihmojë Kosovës drejt tranzicionit energjetik dhe transformimit socio-ekonomik. Vlerat e përbashkëta ndërtojnë marrëdhënien tonë. Vlerat dhe qëllimet e përbashkëta, forcojnë atë”, ka shkruar kryeministri Kurti në Twitter.

Pas negociatave intensive, Qeveria e Kosovës dhe Korporata Amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), dje kanë finalizuar në Uashington marrëveshjen Kompakt, në vlerë 236.7 milionë dollarë amerikanë. Kjo marrëveshje do ta ndihmojë Kosovën për ta zhvilluar dhe pavarësuar sistemin energjetik të vendit.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, e cila kryesoi ekipin e negociatave të Kosovës, theksoi dje se 202 milionë dollarë janë grant nga MCC-ja ndërsa pjesa tjetër, rreth 34 milionë dollarë, bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës.