Lajme

Kurti përkujton mbi 200 vrarët në Dyz të Podujevës

04/18/2024 18:03
nga:G C

Kryeministri Albin Kurti, pas homazheve me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, ka bërë homazhe edhe në Dyz të Podujevës.

Në 25- vjetorin e masakrës së kryer nga forcat e armatosura të Serbisë, atje përkujtoi mbi 200 vrarët.

“Forcat e Serbisë këtu në trevat e Gollakut e të Llapit, në Dyz e në Koliq, kanë vra mbi 200 civilë të paarmatosur, të pambrojtur, pa i kursyer moshat e shtyra apo fëmijët e vegjël. Sot e kësaj dite ndonëse e kemi lirinë, pavarësinë, shtetin e demokracinë, nuk e kemi edhe drejtësinë për këto humbje të tmerrshme që i ka përjetuar populli e në veçanti familjet”, tha kryeministri Kurti.

Kurti tha se e vërteta e plotë ndodhet në arkivat në Beograd, të ushtrisë e të policisë atje.

Ai ritheksoi nevojën për drejtësi dhe thirrjen ndaj prokurorisë dhe gjyqësorit tonë për të intervistuar dëshmitarët, për të grumbulluar evidencat materiale e për të filluar me aktakuza, gjykime e dënime në mungesë.

“Ne nuk duhet të harrojmë që edhe lirinë që e gëzojmë, por edhe përgjegjësitë që i kemi në shtet i kanë rrënjët tek gjaku i dëshmorëve që nuk shlyhet dhe te emrat e tyre që nuk harrohen, sepse i përkasin historisë së popullit tonë tashmë”, përfundoi Kryeministri, duke nderuar dëshmorët e martirët e rënë heroikisht në Dyz, Llap e Gollak, dhe anembanë Kosovës.

Në këto homazhe, Kurti ishte i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale.