Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë ka raportuar për takimin e mbajtur në Bruksel me 18 gusht, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, raporton Gazeta Blic.
Kurti i ka quajtur gënjeshtra deklaratat se pala serbe është treguar konstruktive në takimin që e patën liderët e dy vendeve më 18 gusht në Bruksel.
Në deklaratën që dha në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, tha se në takimin e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, u fol për menaxhimin e krizës në veri të vendit, përkatësisht zbatimin e vendimeve për dokumentet për hyrje-dalje për shtetasit serbë dhe riregjistrimin e veturave me targa të përkohshme që lëshohen nga Serbia.
“Atje kam shkuar si kryeministër dhe as si polic, doganier apo prokuror. Në Bruksel, nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete nga pala serbe. Kemi diskutuar për elementet e kornizës së përgjithshme për normalizim të raporteve mes të dyja vendeve. Në takimin e dytë kemi diskutuar për të zhdukurit me dhunë dhe për dokumentet për lëvizjen e lirë. Marrëveshja për lëvizje të lirë ka ardhur me 4 rekomandime në tavolinë nga ana e BE-së. Deklarimet se ka pasur gatishmëri për pajtim nga njëra palë, janë të pavërteta. Nga ndërtesa ka dalë pala tjetër. Jemi për promovim të lëvizjes së lirë, si Republikë e Kosovës. Jemi për heqje totale të dokumenteve, edhe nga Serbia, edhe nga Kosova. Por, derisa ka nga njëra anë, duhet të ketë edhe nga ana e tjetër”, tha Kurti./Gazeta Blic/


