Lajme

Kurti për sulmin terrorist në veri: Janë gjetur shenja ushtarake të Forcave të Armatosura Serbe dhe Ruse

12/02/2024 19:49
nga:G B

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shkruar se pas sulmit terrorist të premtën, ku me eksplozivë është goditur kanali i Ibër-Lepencit janë gjetur shenja ushtarake, ku shumica prej tyre i përkisnin Forcave të Armatosura Serbe dhe Ruse, si Forcat Ajrore Ruse (VDV).

Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social “X” ka thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe do të zbulohen poashtu edhe numri i palëve të përfshira në sulmin terrorist në Zubin-Potok.

“Pas sulmit terrorist të së premtes në mbrëmje, mes armëve dhe eksplozivëve të sekuestruar, u gjetën edhe shenja ushtarake në foto. Shumica dërrmuese e tyre i përkisnin Forcave të Armatosura Serbe dhe Ruse, si Forcat Ajrore Ruse (VDV). Lidhjet e personave të arrestuar me organizatën terroriste “Mbrojtja Civile” e sponsorizuar nga Beogradi tregojnë praninë e aktorëve të huaj. Natyrisht, ngjarjet terroriste nuk ndodhin në vakum. Në këtë kontekst, inkursioni paraushtarak i Serbisë vitin e kaluar dhe sponsorizimi i vazhdueshëm i krimit përmes metodave të ndryshme në veri të Kosovës lë pak hapësirë ​​për spekulime. Megjithatë, hetimi është në vazhdim, dhe detaje të mëtejshme – së bashku me numrin e palëve të huaja të përfshira – do të zbulohen”, ka shkruar Kurti.