Lajme

Kurti: Për shkak të kërcënimit nga Serbia e Rusia, ekziston nevoja urgjente për më shumë ushtarë të NATO-s në Kosovë

08/26/2022 11:15
nga:Astrit Gashi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën dhënë të përditshmes gjermane, “Die Welt”, ka thënë se për shkak të kërcënimit nga Serbia dhe Rusia ekziston nevoja urgjente për të rritur ndjeshëm nurmin e ushtarëve të NATO-s në Kosovë.

“Do të na ndihmonte edhe nëse do të kishte më shumë ushtarë gjermanë. Përveç kësaj, trupat e KFOR-it mund të na ndihmojnë për të zgjeruar më tej strukturat dhe kapacitetet tona të sigurisë”, u shpreh Kurti.

Tutje, ai tha përmendi edhe bashkëpunimin që Serbia ka me Rusinë në politikën ushtarake, teksa shtoi se rreth Kosovës janë 48 baza ushtarake serbe.

“Rusia dhe Serbia punojnë ngushtë së bashku në politikën ushtarake, ata ndërmorën gjithsej 104 manovra dhe aktivitete së bashku në vitin 2021 – disa prej të cilave përfshinin forcat e armatosura bjelloruse”, tha Kurti.

Ai tutje foli për situatën e tensionuar në veri, për masën e reciprocitetit me Serbinë dhe shtyrjen 30 ditore të aplikimit të saj, ku tha se trazirat e 31 korrikut nuk u shkaktuar nga qytetarë të thjeshtë serb në veri të vendit por nga krimi i organizuar dhe oligarkët.

“Të cilët janë në listën e pagave të Serbisë dhe të cilët në takimet në Beograd u informuan se çfarë duhet të bëjnë në Kosovë. Kjo ishte punë e porositur. Pasi u hoqën barrikadat, unë – në konsultim me SHBA-në dhe BE-në – e shtyva me 30 ditë vendosjen e masave”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës tha se zbatimi i reciprocitetit për targa dhe dokumente do të jetë i detyrueshëm për një kohë të pacaktuar, teksa tha se është i gatshëm të bëjë marrëveshje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që të hiqen kontrollet kufitare nga të dyja shtetet.

Duke folur për sfidat tjera me të cilat përballet Qeveria, Kurti tha se Kosova ka nevojë për investime të huaja direkte dhe vende të reja pune, veçanërisht për të rinjtë.

“Të ardhurat tatimore së fundmi janë rritur me 34 për qind pa ndryshuar politikën fiskale. Njerëzit janë të gatshëm të paguajnë përsëri më shumë taksa sepse e dinë se kjo qeveri nuk është e korruptuar. I inkurajoj të gjitha kompanitë evropiane që të investojnë në Kosovë. Kemi parqe teknologjike si në Prizren, rritje të lartë të eksporteve dhe një fuqi punëtore të re dhe të trajnuar mirë”, tha Kurti.

Ai theksoi se Qeveria e tij duhet të merr masa më të ashpra kundër korrupsionit, duke shtuar se gjyqësori dhe ndjekja penale duhet të jenë edhe më efikase.