Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë për 100 ditëshin e parë të saj ka komentuar edhe raportin e Departamentit Amerikan për Energji lidhur me Liqenin e Ujmanit.
Kurti tha se qëndrimet e tyre mbesin të njëjta, Liqeni i Ujmanit është liqe i Kosovës nga Kosova.
“Qëndrimet tona sa i përket Liqenit të Ujmanit janë të njëjta, natyrisht që mund të bëhen analiza dhe studime por detyra jonë thotë që duhet ta konsiderojmë Liqenin e Ujmanit, ashtu siç është, Liqe articial i Kosovës nga Kosova. Unë natyrisht që do të marr të gjitha argumentet të cilat mund të jenë edhe shtesë për qëndrimin tonë të njëjtë”, tha ai.
Ai foli edhe për Marrëveshjen e Washingtonit për të cilën tha se ka pasur vetëm një pikë të vlefshme të saj e cila është pika e fundit, ku Kosova dhe Izraeli e njohin njëra-tjetrin.
“Sa i përket Marrëveshjes së Ëashingtonit, qysh në fillim e kam thënë se pika e saj më e vlefshme është ajo e fundit që tashmë është realizuar, por s’mund të flasim sikur s’ka ndodhë 14 shkurti ose 22 marsi, ka njerëz që jetojnë në të kaluarën por nuk besoj se ata i përkasin të ardhmesë në këtë kuptim ndryshimi në Kosovë është gjigand, ne jemi përfaqësues të këtij ndryshimi të cilin e bëri populli i Kosovës”, tha Kurti para gazetarëve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dorëzuan Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që ishte pjesë e Marrëveshjes së 4 Shtatorit 2020, që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prezencë edhe të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump
Në njoftimin e Ambasadës amerikane në Kosovë thuhet se raporti i Departamentit Amerikan të Energjisë, propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që gjendet në pjesën veriore të Kosovës që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Liqeni i Ujmanit është një liqe artificial i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.
“Ne propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në dokument.
Më tej theksohet se “sistemi i Ujmanit duket se luan një rol të njëjtë të digës në lumin Kolumbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në Shtetet e Bashkuara sa i takon kontributit të tij për shërbimet e ruajtjes për furnizimin me ujë sezonal, energjisë dhe në shërbimet e kontrollit të përmbytjeve”. Traktati i lumit Kolumbia është arritur në vitin 1961 midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas kësaj marrëveshje u ndërtuan katër diga: tri në Kanada dhe një në shtetin Montana në SHBA.