Lajme

Kurti: ‘Për postin e Presidentit duhet një figurë konsensuale, apartiake dhe me vlera kombëtare e profesionale

07/10/2026 15:11
nga:Y I

Zyra e Kryeministrit(ZKM) ka dalë me një komunikatë për media pas takimit Kurti-Hamza.

Në komunikatë thuhet se ‘kryeministri Kurti ka deklaruar se diskutimi me kryetarin e PDK-së ishte konstruktiv ndonëse nuk pati rezultat konkret’.

“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotëroj edhe në vijim dhe në përputhje me afatet të konstituojmë institucionet. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera konstruktive duhet të vazhdoj të mbizotëroj”, ka thënë ai raporton “Gazeta Blic”.

Në njoftim thuhet se ‘Kryeministri Kurti ka deklaruar po ashtu se “për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë”, ndërsa shtoi se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale, të mos jetë i asnjë partie, dhe dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit’ përfundon njoftimi.

Në kuadër të konsultimeve, kryeministri në detyrë Kurti pasdite do të takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.