Lajme

Kurti për Krishtlindje qëndroi në Gjakovë: Kujdesi, dashuria e sakrifica qofshin vlerat që na shoqërojnë

12/26/2024 09:29
nga:Sh R

Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së djeshme qëndroi për vizitë në Gjakovë, e kjo me rastin e festës së Krishtlindjes.

Në një postim në Facebook, Kurti liston vendet që vizitoi, dhe falënderoi të gjithë ata që e mikëpritën.

I pari i qeverisë po ashtu shton se ‘kujdesi, dashuria e sakrifica për njëri-tjetrin qofshin gjithnjë vlerat që na shoqërojnë, sikurse gëzimi e festa mbizotërofshin gjithmonë te qytetarët e familjet tona’.

“Dje për Krishtlindje kaluam tërë ditën me vizita e takime në Komunën e Gjakovës. Nga aktiviteti në aktivitet, nga familja në familje me ngrohtësi u pritëm në secilën prej tyre në këtë ditë të shenjtë për besimtarët e krishterë. Nga Kisha e Shën Ndout te familja Sebi, nga fshati Vogovë në Pjetërshan, nga familja Rasi në fshatin Kusar te familja Domgjoni në Kushavec, Bishtazhin, Dobrixhë, Novosellë, Bec, Meqë e për ta përfunduar vizitën tonë në disa familje në Doblibare”, ka shkruar Kurti.

“Krishtlindja është edhe mirënjohje dhe falënderim e në të gjitha këto vizita e takime këto dy vlera reflektonin qartë. Por, edhe unë shfrytëzoj rastin që edhe njëherë t’i falënderoj të gjithë ata për mikpritjen e tyre dje”.