Lajme

Kurti për ish-krerët e UÇK-së: E drejtë që ata të kthehen në shtëpi, ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare

11/05/2025 12:26
nga:Genita C

Në pesëvjetorin e publikimit të aktakuzës ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar duke kërkuar lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga paraburgimi në Hagë.

Kurti kujtoi momentin kur, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimi ishte arrestuar pak orë pasi kishte vendosur lule në varrin e Astrit Deharit.

Ai tha se që prej asaj dite, katër ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në paraburgim.

“Sot bëhen pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave, ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: ‘rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët’. Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj, dëshmitarë më nuk ka, prandaj nuk ka as arsye ligjore e as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

Ai shtoi se që nga dita e parë ka qenë i bindur për padrejtësinë e këtij procesi dhe se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkretë për lirimin e të akuzuarve.

Sipas tij, Zyra e Kryeministrit i ka dërguar një letër zyrtare kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në shtator të vitit 2022, ku është kërkuar lirimi i tyre me garancitë e nevojshme nga shteti i Kosovës.

“Letra e dërguar në atë kohë nuk solli ndryshim, por kërkesa jonë qëndron ende. Në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë që ata të mund të mbrohen në liri”, ka përfunduar Kurti.