Lajme

Kurti për heqjen e masave: Nuk spekuloj për spekulimet

06/18/2024 11:50
nga:G C

“Nuk mendoj që duhet të spekulojë për spekulime”, kështu ka thënë kryeministri Kurti, para gazetarëve, i pyetur për rreth deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili i ka quajtur “spekulime”, deklaratat e zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi për largimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

Kurti e tha vetëm fjalinë e mësipërme kur u pyet për këtë çështje.

Bashkimi Evropian ka thënë të hënën se afati i dorëzimit të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së, dhe rreth tyre nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut evropian.

Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, tha se raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.

“Kjo është një çështje institucionale mes Përfaqësuesit të Lartë dhe vendeve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar një raport dhe, natyrisht, është Përfaqësuesi i Lartë ai që do ta dërgojë raportin tek vendet anëtare. Ato do të jenë të parat që do të dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti, dhe kjo ende nuk ka ndodhur”, ka theksuar Stano.

Sipas tij, raporti nga Borrell do të dërgohet fillimisht tek vendet anëtare, të cilat do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen e tij, para se të marrin vendimet e nevojshme.

“Kjo është diçka institucionale mes Përfaqësuesit të Lartë dhe vendeve anëtare. Kështu që nuk na duhet dikush nga jashtë që të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret. Do të bëhet në kohën e përshtatshëm për Përfaqësuesin e Lartë dhe vendet anëtare, që do të jenë të parat që do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen, para se të marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo do të ndodhë, atëherë do t’i kumtojmë rezultatet. Nuk ka hapësirë dhe arsye për spekulime publike nga akterë të ndryshëm”, ka ka deklaruar Stano.