Kryeministri i vendit Albin Kurti ka shkruar në lidhje me protestën studentore të mbajtur para 26 vjetëve. Kurti, që ishte edhe vet pjesmarrës në atë protestë, ka kujtuar profesorin Ejup Statovci, si udhëheqës i kësaj proteste, duke u shprehur se kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm.
Tutje, Kurti protestën e 1 tetorit 1997, e ka quajtuar moment që theu frikën e gjatë të popullit ndaj okupatorit, e moment që nisi ta rikthej guximin e dinjitetin.
E plotë:
Sot e 26 vite më parë, kumboi zëri i drejtësisë, si revoltë ndaj shtypjes dhe dhunës. Protesta studentore e 1 tetorit 1997, theu një heshtje dhe frikë të gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej guximi e dinjiteti.
E përkujtuam këtë datë të rëndësishme duke bërë homazhe tek varri i profesor Ejup Statovcit, bashkë me ish-studentë e pjesëmarrës në marshimin për liri.
Profesor Statovci ishte udhëheqës e prijës bashkë me studentët dhe organzatën e tyre gjithëpërfshirëse, Unionin e Pavraur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës – UPSUP. Studentët, nuk ishin vetëm. Vepra e kontributi i tij i jashtëzakonshëm na frymëzoi të gjithëve. Universiteti i Prishtinës u ringjall ndonëse nën okupim dhe u bë institucioni i cili udhëheqte me rezistencën e atëhershme.
Sot përkujtojmë dhe ish rektorin Zenel Kelmendi, i cili ndërroi jetë në gushtin e këtij viti. Ai ishte një udhëheqës i vendosur i Universitetit në vitet e para pas luftës, duke pasuar si rektor punën e profesor Statovcit dhe fuqizuar themelet e Universitetit të Prishtinës.
Me 1 tetor 1997, studentët shprehën vullnetin e dëshirën për liri. Ne, marshuam paqësisht, për lirimin e hapësirave të ndaluara të kampusit universitar, drejt rrugës për arsim e edukim të lirë, të drejta të patjetërsueshme, liri e pavarësi.
Nderim e përulësi për secilin që ka kontribuar, që guxoi e nuk qëndroi duarkryq kundrejt shtypjes, padrejtësisë e okupimit serb.


