Lajme

Kurti: Pas zgjedhjes së presidentes së re, Kosova ka stabilitet të plotë institucional

11/25/2026 09:29
nga:L J

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente e vendit, Kosova ka siguruar stabilitet të plotë institucional për funksionimin demokratik, zhvillimin ekonomik dhe përparimin shoqëror në katërvjeçarin e ardhshëm.

Në një postim në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të jetë gati drafti i programit të ri qeverisës, në të cilin, sipas tij, janë përmbledhur dhe shtjelluar zotimet me të cilat Lëvizja Vetëvendosje fitoi sërish zgjedhjet.

Ai ka thënë se fitorja është rezultat i besimit dhe mbështetjes së qytetarëve, por edhe i sukseseve dhe të arriturave të përbashkëta gjatë viteve të fundit.

Kurti në postimin e tij ka përmendur edhe kohëzgjatjen e qeverive të mëparshme të drejtuara prej tij, duke theksuar se Qeveria Kurti 1 zgjati katër muaj në vitin 2020, ndërsa Kurti 3 shtatë muaj e dy ditë këtë vit.

Ai ka vlerësuar se të arriturat kryesore për Kosovën dhe qytetarët janë shënuar gjatë Qeverisë Kurti 2, për të cilat ka publikuar edhe një dokument përmbledhës.

Postimi:

Të dashur qytetarë dhe aktivistë,

Pas zgjedhjes së Presidentes së re të Republikës, Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, kemi stabilitet të plotë institucional për funksionim demokratik, zhvillim ekonomik dhe përparim shoqëror në katërvjeçarin para nesh. Javën e ardhshme do ta kemi gati draftin e programit tonë të ri qeverisës ku janë bërë bashkë dhe shtjelluar zotimet tona me të cilat fituam përsëri zgjedhjet me votën dhe mbështetjen tuaj. Në themel të fitores sonë është besimi juaj që është përgjegjësi për ne, por edhe sukseset e përbashkëta e të arriturat e shumta në këto vitet e fundit.

Kurti 1 në vitin 2020 zgjati vetëm 4 muaj (51 ditë me kompetenca të plota), Kurti 3 sivjet zgjati 7 muaj e dy ditë (77 ditë me kompetenca të plota), ndërkaq Kurti 4 nisi më 13 shtator 2026. Mirëpo, të arriturat kryesore për Kosovën dhe qytetarët e saj natyrisht që ishin në Kurti 2. Dhe, në vijim keni përmbledhjen me të arriturat kryesore të Kurti 2.