Lajme

Kurti pas vdekjes së Nexhat Dacit: Emri i tij u përjetësua në historinë e Republikës së Kosovës

01/02/2026 19:45
nga:Sh R

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nderuar jetën dhe veprën e akademikut dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Prof. Nexhat Daci, i cili vdiq më 1 janar 2026 në moshën 81-vjeçare.

Pas Akademisë Përkujtimore të mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës, Kurti vlerësoi kontributin e tij të pazëvendësueshëm në shkencë, politikë dhe shtetndërtim.

“I dhamë lamtumirën e fundit Prof. Nexhat Dacit. Që nga universiteti dhe akademia e shkencave e deri te politika shtetërore moderne, ndodhen gjurmët e pashlyeshme të tij: të shkencëtarit që hulumtoi dhe edukoi, të udhëheqësit politik e institucional që drejtoi dhe frymëzoi”, tha Kurti.

Ai kujtoi se Nexhat Daci ishte një nga figurat kyçe të institucioneve të pasluftës dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

“Si një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, emri i tij u përjetësua në historinë e mëvetësisë dhe ngritjes së Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.

Duke folur për rolin e tij si kryetar i Kuvendit të Kosovës në vitet e para pas çlirimit, Kurti theksoi maturinë dhe qetësinë që e karakterizonte Dacin.

“Me maturinë dhe qetësinë e tij karakteristike, ai dha shembull se si duhej kuvenduar në këtë kuvend dhe si duhej zhvilluar betejat politike”, tha ai.

Kryeministri vuri në pah edhe dimensionin akademik të të ndjerit, duke kujtuar se Daci ishte profesor i kimisë në Universitetin e Prishtinës dhe dy herë kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Nexhat Daci ishte shkencëtar para se të bëhej intelektual, ishte intelektual para se të bëhej politikan”, theksoi Kurti.

Kurti shprehu ngushëllime për familjen, kolegët dhe miqtë e Prof. Dacit.

“Kujtimi për veprën dhe figurën e tij mbetet i pandashëm nga historia institucionale e Kosovës dhe memoria kolektive e popullit”, shtoi ai.