Lajme

Kurti pas takimit me përfaqësues politikë të Luginës: Është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna

04/11/2022 09:45
nga:Q R

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është takuar me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, me ç’rast ka thënë se u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna, shkruan Gazeta Blic.

Sipas Kurtit, “Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhja as nuk ishin të lira e as demokratike”

Njoftimi i plotë:

Kryeministri Kurti takoi përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc
Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna, u tha në fillim të takimit. Kryeministri Kurti tha se ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha. Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhja as nuk ishin të lira e as demokratike, tha ai. Mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore, veçoi kryeministri.