Lajme

Kurti: Onkologjia shembull për Kosovën dhe rajonin

12/17/2025 10:29
nga:Y I

Në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është përuruar akseleratori me vlerë prej 1.6 milionë eurosh, i cili mundësinë që me saktësi maksimale të godet tumorin pa dëmtuar indin përreth.

Në këtë përurim ishte edhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia të cilët vlerësojnë se në këtë klinikë janë bërë ndryshime rrënjësore duke u bërë edhe klinika shembull jo vetëm për vendin por edhe rajonin dhe me gjerë.

“Sot jemi në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, një klinikë që gjatë këtij mandati ka përjetuar një transformim rrënjësor, duke përmirësuar jashtëzakonisht si trajtimin e pacientëve, ashtu edhe kushtet për mjekët specialistë, infermierët dhe stafin në përgjithësi. Klinika e Onkologjisë është shembull në Republikën e Kosovës, madje edhe në rajonin e Ballkanit. Me këtë rast duhet të përmendet se fillimisht është rritur numri i shtretërve. Nga vetëm 45 shtretër sa ishin më parë, sot janë 110 shtretër, pra kemi më shumë se dyfishim. Arsyeja pse jemi këtu sot është investimi në këtë bunker me hapësira përcjellëse, me vlerë të përgjithshme prej 2.7 milionë euro, përfundimi i të cilit u bë në një kohë rekord – për vetëm pesë muaj. Shtete të tjera shumë më të zhvilluara se Kosova, edhe në Evropë, kanë marrë deri në 12 muaj për realizimin e projekteve të tilla, ndërsa në Kosovë u realizua për vetëm pesë muaj. Akseleratori ka vlerë prej 1.6 milionë euro dhe është i pajisur me sistemin e avancuar SIRAG, i cili mundëson saktësi maksimale në rrezatim, duke goditur tumorin pa dëmtuar indet përreth”, tha Kurti.

Kurti në fjalën e tij përmendi edhe buxhetin për listën e barnave esenciale.

“Duhet theksuar se pjesë e investimeve në këtë klinikë është edhe buxheti për listën e barnave esenciale për pacientët me sëmundje malinje, i cili para gjashtë vitesh, në vitin 2019, ishte rreth 8 milionë euro, ndërsa sot është rritur në gjithsej 19 milionë euro”, nënvizioi Kurti.

Ndërsa ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ky është akseleratori i tretë, e kështu po mundësohet edhe që pacientët shërbimet t’i marrinë në institucione publike, e madje as duke shkuar në shtete të tjera.Këtë ai e quan një dhuratë për fundvit për klinikën por edhe për pacientet që kanë pritur.

“Kënaqësi e veçantë që brenda një periudhe të shkurtër po montohet akseleratori i tretë në këtë klinikë, një akselerator modern që do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve për trajtimin e tyre me rrezet X dhe që nuk do të ketë fare lista të pritjes. Nuk mund të mendoj një dhuratë më të mirë, si për ministrinë dhe stafin shëndetësor, ashtu edhe për pacientët që kanë pritur me vite, sesa një akselerator i tillë. Do të vazhdojmë edhe me investime të tjera, në mënyrë që qytetarët t’i marrin të gjitha shërbimet shëndetësore brenda institucioneve publike, pa pasur nevojë t’i kërkojnë ato jashtë vendit. Klinika e Onkologjisë është bërë shembull në këtë drejtim dhe shumica e pacientëve tashmë as që mendojnë të dalin jashtë Kosovës për t’i marrë këto trajtime”, u shpreh Vitia.