Lajme

Kurti nuk i shkoi në takim, Gërvalla e thumboi/ Analistët komentojnë përplasjet e presidentes me ish bashkëpartiaken

07/31/2024 20:15
nga:G B

Një deklaratë e bërë mbrëmë nga ministrja e jashtme, Donika Gërvalla ndaj presidentes Vjosa Osmani, mori përgjigje nga kjo e fundit sot në konferencën për media, pas takimit me krerët e partive politike.

Gërvalla në koncertin për mërgatën në sheshin ‘Skënderbeu’, pasi këndoi këngëtarja Dafina Zeqiri, tha se ajo e këndoi këngën “llafe llafe” të presidentes.

E pyetur për këtë sot, Osmani ia ktheu me të njëjtën monedhë, derisa dhe ajo përdori vargje të njërës nga këngët e Dafinës, për t’iu kundërpërgjigjur Gërvallës.

“Për detaje rreth raporteve tona flasim ndonjëherë tjetër. Por Dafina e ka një këngë tash që e ka publiku ‘me kast me kast mjeshtër i mashtrimeve, me kast me kast përsëritës i gabimeve’. Ka edhe kangë tjera Dafina, përndryshe përpunim i këngës së Gilit”, deklaroi Osmani, teksa tha se nuk e kishte dëgjuar deklaratën e Gërvallës, ish bashkëpartiakes së saj.

Deklarata e Osmanit bëri bujë dhe pati reagime të shumta për mënyrën e ironizimit mes tyre.

Përpos kësaj, në takim te Osmani nuk shkoi Albin Kurti si kryetar i VV-së.

Osmani tha se ai kishte qenë në rregull me datën dhe e kishte konfirmuar pjesëmarrjen e më pas i kishin thënë se nuk është në Kosovë, por që në fakt ishte.

E, nga Qeveria thanë se Kurti në të njëjtën kohë ka qenë në një drekë pune me ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Lidhur me gjithë këtë, analisti Gazmir Raci, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se në të kaluarën partitë nuk i kanë dërguar gjithmonë liderët e partive por dhe përfaqësues.

“Nisur nga ligji për zgjedhjet dhe nga përvoja e shpeshtë në të kaluarën me këtë natyrë konsultimesh, di që subjektet politike nuk kanë dërguar gjithmonë kryetarët e tyre, por përfaqësues të subjektit. Sërish konsultova ligjin dhe pashë që aty shkruhet “konsultë me parti” dhe askund nuk përmendet niveli i përfaqësimit”, shprehet ai.

Sipas Racit, ka interes për të ndezur çdo mospajtim apo keqkuptim, por që nuk i duket diçka serioze.

“Nga ana tjetër, shihet qartë që ka një interes për të ndezur secilin keqkuptim apo mospajtim, por nuk më duket diçka serioze për bashkëpunimin ndërinstitucional mes krerëve”, deklaron analisti Gazmir Raci.

Ndërsa, analisti Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se mos shkuarja e Kurtit në takim tregon që ka mospajtime mes tij dhe Osmanit.

Sipas tij, as Kurtit e as Gërvallës nuk i duhet aleanca me Osmanin sepse është politikisht e pafuqishme.

“Sigurisht që mos shkuarja e z.Kurti tek presidentja nënkupton faktin që ata kanë mospajtime në shumë gjëra, veçanërisht raportin e Kosovës me SHBA-të dhe BE-në, si dhe Osmani duke e ditur rolin e dobët të Listës Guxo në zgjedhjet ardhshme tenton të futet në parlament si pjesë e VV-së, pra, as z.Kurti e as znj. Gërvalla nuk iu duhet asgjë aleanca me Vjosën sepse ajo është jo e fuqishme politikisht, ndonëse si person ka një pëlqyeshmëri në popull, por kjo s’mjafton, andaj, z.Kurti tenton të krijojë aleanca të reja me partitë tjera opozitare pas zgjedhjeve të reja”, vlerëson ai.

Sadiku e quan fëmijërore përplasjen Osmani-Gërvalla, derisa thotë se ato janë tallur në zgjedhjet e fundit me ne, derisa kanë fituar pozita shtetërore falë VV-së.

“Kurse, sa i përket talljes së pingpongut Osmani-Gërvalla, është fëmijërore dhe e papërgjegjshme në shumë aspekte, por ato janë tallur me ne qysh para 3 vite e gjysmë kur fituan pushtet me pak vota Guxo dhe erdhën në pozita shtetërore falë aleancës me VV-në”, deklaron Arbnor Sadiku./Gazeta Blic/

 

“Me kast mjeshtër i mashtrimeve, me kast…”- Vjosa Osmani ia kthen ‘dissin’ Donika Gërvallës