Nesër kryeministri Albin Kurti pritet të takohet me liderë evropianë në Bruksel, e me ta do të takohet edhe presidenti serb Vuçiç, pas vizitës së pesëshes së madhe në Ballkan, që sollën një plan të ri për Kosovën e Serbinë.
Për këtë, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur edhe anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Pantina, ku thotë se procesi i dialogut po rifillon aty ku mbeti para ngjarjeve të 24 shtatorit, dhe sipas saj është për keqardhje që kryeministri Kurti nuk arriti të nxjerrë asnjë përfitim nga sulmi terrorist në Banjskë.
Ajo thotë se kryeminsitri në fund nuk do t’i reziztojë presionit ndërkombëtar dhe si në rastin e targave do të pranojë çfarëdo që ka në tavolinë.
“Procesi i dialogut si doket po rifillon mu aty ku kishte mbetur para ngjarjeve të 24 shtatorit. Është për keqardhje që kryeministri Kurti nuk arriti të nxjerr asnjë përfitim nga sulmi terrorist ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku. Kjo për shkak se ai nuk po fokusohet te rezultati final dhe përfitimet për Kosovën por tek perceptimi i njerzve për të. Ai në fund nuk do t’i rezistojë presionit ndërkombëtar, por si në rastin e targave do të pranojë çfarëdo që ka në tavolinë sepse alternativa është më e keqe”, tha Pantina për Gazeta Blic.
Tutje Pantina thotë se është e vështirë të thuhet nëse plani i propozuar nga BE është modern apo i prapambetur pasi që përmbajtja e tij ende nuk është bërë publike, por thotë se e mira do ishte që ai plan të sillte stabilitet në Kosovë dhe të hapte mundësinë për zhvillim dhe intëgri të Kosovës në organizma ndërkombëtarë.
Ndërkohë ajo thotë që kryeministri Kurti të mos tregohet kokëfortë sepse do jetë vonë kur ta kuptojë që i vetmi person naiv në gjithë këtë proces ka qenë vetë kryeministri Kurti dhe jo ata të cilët i quan Kurti të tillë.
“Vështirë të thuhet nëse plani i propozuar nga BE është modern apo i prapambetur sepse përmbajtja e tij nuk është bërë publike. E mira do ishte që ai plan të sillte stabilitet në Kosovë dhe të hapte mundësinë për zhvillim dhe integrim të Kosovës në organizma ndërkombëtare, psh si fillim antarsimin në Këshillin e Evropes. Uroj që Kryeministri mos të tregohet kokëfort sepse mund të bëhet vonë kur ta kuptoj se i vetmi person naiv në gjithë këtë proces ka qene ai vet, e jo ata qe ky i quante të tillë”, shtoi ajo.
Ndërkohë ish deputeti i Lëvizjes Vetvendosje, Fatmir Humolli, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se nuk mund të pritet diqka e mirë nga ky takim përderisa po mbahet fshehtë nga populli.
“Nuk mund të pritet diçka e mirë përderisa mbahet fshehtë nga populli jonë”, ka thënë Humolli për Gazeta Blic.




