Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar një iniciativë të re që do të lehtësojë ndjeshëm procedurat për prindërit pas lindjes së fëmijës, raporton GazetaBlic.
Me shërbimet e reja të integruara, Kurti thotë se prindërit nuk do të kenë më nevojë të kalojnë nga një sportel në tjetrin për të kryer procedura të ndryshme. Të gjitha të dhënat e nevojshme për regjistrimin e fëmijës, përfitimet që i takojnë, sistemin shëndetësor dhe vaksinimin do të mblidhen automatikisht në momentin e lindjes dhe do të shpërndahen te institucionet përkatëse.
Shërbimet përfshijnë regjistrimin e lindjes, aplikimin për përfitimet për nënën dhe fëmijën, regjistrimin në sistemin shëndetësor, regjistrimin e vaksinave, hapjen e llogarive në eKosova për prindërit dhe njoftimin elektronik të institucioneve statistikore dhe shëndetësore.
Për më tepër, në platformën eKosova është krijuar një seksion i veçantë për lindjen e fëmijës, ku qytetarët mund të informohen dhe të planifikojnë periudhën nga para-shtatzënia deri te kujdesi pas lindjes.
Në këtë fazë, shërbimet e integruara do të nisin në Komunën e Gjilanit dhe të Ferizajt. Ky projekt është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, dhe zbatohet nga GIZ.
Kurti ka falënderuar të gjithë partnerët e përfshirë në këtë iniciativë për mundësimin e këtij zhvillimi.