Lajme

Kurti nga SHBA publikon vendimet e marra nga Qeveria: Miratuam vendime të rëndësishme

05/17/2022 07:45
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po vazhdon vizitën e tij në Amerikë.

Ai nga atje, ka postuar në llogarinë e tij në Facebook vendimet e marra dje nga Qeveria e Kosovës, mbledhjen e të cilës e udhëhoqi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në mungesë të kryeministrit Kurti, përcjell Gazeta Blic.

Kurti ka thënë se qeveria ka miratuar vendime të rëndësishme për Republikën dhe për sigurinë e paqen ndërkombëtare.

Postimi i tij i plotë:

Në mbledhjen e 78 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, miratuam vendime të rëndësishme për Republikën dhe për sigurinë e paqen ndërkombëtare.

Republika jonë është ndër të parat që është rreshtuar me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, në raport me situatën atje, e në përputhje me paketën e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe ShBA, vendosëm sanksione shtesë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Vendosëm masa kufizuese edhe ndaj Grupit Wagner – një entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi.

Me qëllim të mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, vendosëm masa restriktive për terrorizëm ndaj ISIL (Da’esh), Al-Qaeda dhe personave fizikë dhe juridikë, subjekteve ose strukturave tjera të lidhura me to.

Duke marrë parasysh nevojën për krijimin e mekanizmave sa me efikas, miratuam Projektligjin për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara.

Po ashtu, plotësuam Programin Legjislativ për vitin 2022 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Miratuam nismën për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e Arkivave ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit.

I hapëm udhë bashkëfinancimit të bursave të arsimit të lartë në nivelin master me miratimin e nismës për marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës.