Lajme

Kurti në samitin kundër diskriminimit racor: Do të luftojmë për drejtësi sociale dhe shoqëri gjithëpërfshirëse

11/26/2024 18:59
nga:G C

Nën moton “Forcë në diversitet. Një shoqëri pa diskriminim racor”, Samiti i Ballkanit Perëndimor Kundër Diskriminimit Racor përfundoi sot në Prishtinë, duke sjellë së bashku ekspertë, liderë dhe aktivistë nga rajoni për të adresuar çështjet e diskriminimit ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Pjesëmarrësit theksuan nevojën për mobilizim të përbashkët dhe veprime konkrete për të bërë drejtësinë sociale një realitet të prekshëm për të gjitha komunitetet e margjinalizuara.

Kryeministri Albin Kurti, në fjalimin e tij, rikonfirmoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës për luftën kundër diskriminimit racor.

Ai theksoi rëndësinë e diversitetit si një forcë për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe bëri thirrje për veprime konkrete përtej diskutimeve të samiteve.

“Forca jonë qëndron në përqafimin e diversitetit, për një shoqëri të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Diskutimet e sotme do të na sjellin rekomandime të vlefshme që do të trajtojmë me kujdes dhe seriozitet,” tha Kurti.

Në kuadër të samitit u prezantua edhe platforma raportodiskriminimin.org, ku qytetarët mund të raportojnë rastet e diskriminimit racor.

Habit Hajredini theksoi se qëllimi kryesor është shkëmbimi i përvojave dhe forcimi i masave parandaluese ndaj diskriminimit.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, u shpreh mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal:

“Ky samit është një hap jetik për të ndërtuar një vullnet të fortë politik dhe për të nxitur përgjegjësi më të madhe në luftën kundër diskriminimit racor,” tha ai.

Pajtim Zeqiri, Shef i Zyrës së Terre des hommes në Kosovë, theksoi rëndësinë e drejtësisë sociale:

“Drejtësia sociale nuk është thjesht një koncept, por një thirrje për veprim dhe ndryshim. Qëllimi është transformimi i jetëve të komuniteteve të margjinalizuara,” tha Zeqiri.

Samiti u organizua nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Terre des hommes në Kosovë dhe organizata të tjera, me mbështetje financiare nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).