Lajme

Kurti në Graçanicë ua dorëzon çelësat e banesës 56 familjeve që kanë banuar në qendra kolektive

04/30/2024 13:46
nga:Sh R

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomas Szunyog, kanë marrë pjesë në ceremoninë e përfundimit të banesave në lagjen Suvido në Graçanicë si pjesë e projektit të strehimit të familjeve që kanë banuar në qendra kolektive.

Tashmë është bërë ndërtimi i dy ndërtesave banesore, hapësirave komunale dhe zonave rekreative në Komunën e Graçanicës.

Kryeministri Kurti gjatës fjalës së tij ka theksuar se janë mbledhur për t’ua dorëzuar çelësat e 35 banesave.

Ndërsa, ambasadori i BE-së, Szunyog, ka thënë se ky projekt ka mbështetur 56 familje nga komunitetet jo shumicë, duek shtuar se sot për ta fillon një jetë e re.

“Është ditë e veçantë për juve dhe për neve. Ky projekt është iniciative e përbashkët e financiar nga BE dhe ministria për komunitete dhe kthim. Ai nuk do te ishte i mundshëm pa mbështetjen e komunës së Graçanicës. Në kornizën e këtyre projekteve kemi mbështetur 56 familje nga komunitetet jo shumicë. Kjo riafirmon rolin e BE-së si donatori më i madh në Kosovë. Sot fillon një jetë e re për juve, shpresoj qe te gjeni fuqi dhe inspirim që ta bëni këtë projekt të banimit social storie suksesi”, është shprehur ai.

Pjesëmarrës ka qenë edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili ka thënë se 34 banesat e ofruara nga ky projekt janë për 84 persona, dhe se për secilën familje ministria ka ofruar pajisjet elektrike, mobile dhe ushqim që do tua lehtësojë jetën atyre.

“Atyre u është ofruar edhe hapësirë për rekreacion. Përkushtimi ynë mbetet në nivelin më të lartë sepse ministria dhe qeveria e kuptojnë se sa të rëndësishëm janë shembujt e tillë”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se tashmë kanë shpallur konkurs për zhvillim ekonomik dhe qëndrueshmëri në vlerë 1 milion euro.