Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e Ditës Franceze të Biznesit, që u organizua nga Këshilli i Investitorëve Europian në Kosovë.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore, është e hapur për investime serioze dhe se po zgjerojmë mundësi tregtare me rajonin, Evropën dhe më gjerë.
“Vendi ynë, Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar, me orientim të qartë evropian dhe po, tash e kemi edhe stabilitetin institucional, i cili dëshirohet aq shumë prej bizneseve, meqënëse ofron siguri publike, parashikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale.” tha kryeministri Kurti.
Ai shtoi se kemi punuar për të forcuar sundimin e ligjit, për të ulur praktikat informale dhe për të krijuar një terren të barabartë, sepse konkurrenca duhet të jetë e drejtë për ata që inovojnë dhe investojnë.
Kryeministri i ftoi kompanitë franceze të investojnë në vendin tonë, gjersa shtoi se Kosova po investon në infrastrukturë, sepse ajo e shtyn përpara gjithçka tjetër: konkurrueshmërinë, sigurinë energjetike, logjistikën dhe cilësinë e jetesës. Ne duam partneritete, të cilat sjellin standarde të larta, projekte transparente, konkurruese dhe të përfunduara me kohë.
Ai tha se po mbështesim një ekonomi prodhuese, ku suksesi bazohet në punë, inovacion dhe meritë, dhe po e përmirësojmë klimën e investimeve përmes reformave që zvogëlojnë barrën administrative dhe rrisin transparencën. E në këtë drejtim, kryeministri Kurti tha se duam investime që krijojnë vende pune cilësore, mbështesin eksportet dhe ndërtojnë kapacitete reale, veçanërisht në prodhim, shërbime, teknologji informative dhe rritje të gjelbër.

