Lajme

Kurti në ceremoninë e diplomimit të 433 policëve: Mbrojtja dhe siguria e vendit janë prioritet

02/13/2023 11:10
nga:Genita C

Kryeministri Albin Kurti tha se për Qeverinë e Kosovës, mbrojtja dhe siguria e vendit, vendosja e rendit dhe ligjit janë prioritet.

Ai këto deklarime i bëri gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 57 të Policisë së Kosovës ku këtij institucioni iu shtuan 433 policë të rinj.

Kurti tha s ky çast është kulmi i punës së palodhur dhe rezultat i punës së përditshme.

“Jam dyfish i lumtur që jemi këtu në prag të festimit të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës tek po shtojmë dhe forcojmë radhët e Policisë së Kosovës. Sikur vendi ynë edhe Policia e Kosovës ka kaluar nëpër etapa të ndryshme. Të gjithë jemi të qartë se policia mbron jetën e qytetarëve dhe zbaton ligjshmërinë. Për Qeverinë tonë, mbrojtja dhe siguria e vendit, vendosja e rendit dhe ligjit janë prioritet”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti shtoi se gjatë vitit të kaluar janë realizuar 854 operacione policore kundër krimit dhe kontrabandës, janë arrestuar 3 mijë e 202 veta, prej tyre 301 zyrtarë publik, janë mbyll 16 rrugë ilegale në veri dhe sipas tij janë ngrirë mbi e mbi 14 milionë euro mbi dyshimin e shpëlarjes ë parave publike.

Kurti përmendi edhe shkatërrimin e 5 laboratorëve të drogës, siq tha me vlerë qindra milionë euro dhe atyre të kriptovalutave.

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se puna e policëve të rinj do të vazhdoj ta bëjë Policinë ndër institucionet më të besuara në Kosovë.

“Ju keni zgjedhur t’i bashkoheni një profesioni kaq të lartë e fisnik. 433 vajza e djem po i bashkohen synimit për zbatimin e rendit dhe ligjit, luftimin e krimit e korrupsionit, për një polici të disiplinuar që nuk do të toleroj asnjë lloj krimi ndaj shoqërisë, institucioneve dhe sovranitetit të Republikës sonë”, tha Sveçla.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, Fehmi Hoti, tha se Policia e Kosovës është e gatshme të përballet me të gjitha rreziqet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

Ai duke uruar pjesëtarët e ri të këtij institucioni, kërkoi nga ta që të shërbejnë më përkushtim e profesionalizëm për të gjithë qytetarët.

“Nga ju presim të udhëhiqeni nga parimet më të avancuara të trajtimit të barabartë me të gjithë qytetarët. Punën tuaj zbatone në ligj”, tha ai.