Lajme

Kurti në Bruksel kërkon liberalizimin e vizave: Rinia jonë po përballet me murin e izolimit

05/18/2021 21:44
nga:Q R

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur para medieve para darkës së punës në Bruksel, në të cilën shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrel i ka ftuar liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kurti në këtë konferencë theksoi se është dëm që rinia e Kosovës, e cila është shumë e talentuar, të përballet me regjim të vizave.

“Republika e Kosovës, është shtet me rini shumë të talentuar. Ata e shohin Bashkimin Evropian si mundësinë për të studiuar e punuar këtu dhe për t’u kthyer e për të kontribuar në vendin e tyre. Në këtë aspekt kemi nevojë për liberalizim të vizave. Jemi i vetmi vend në Evropë që kemi regjim të vizave që për të rinjtë tanë është një pengesë e madhe për të studiuar e për të bërë biznes. Shumica e popullsisë në Kosovë është rreth 30 vjeç dhe me rini aq të talentuar është dëm që të kemi këtë murin e izolimit”, u shpreh Kurti.

Ai u shpreh se do të krijojë kontakte me kolegët në Bruksel për të diskutuar për reformat në vendin tonë, por edhe për njohjet e reja.

“Si në çdo takim, konfirmojmë interesimin dhe gatishmërinë që të avancojmë në Bashkimin Evropian, e në të njëjtën kohë, ne diskutojmë këtu në Bruksel me shokët e kolegët se si të na ndihmojnë të bëjmë reforma në shtëpitë tona dhe anën tjetër, të kemi njohjen e pesë shteteve të cilat nuk na njohin”, theksoi Kurti.

Ai tha se “ne besojmë që BE-ja është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe progresit që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe, në shekullin e 21 ne duhet të mbrojmë Bashkimin Evropian dhe në të njëjtën kohë ne duhet të zhvillojmë lidhjet e brendshme mes shteteve dhe njerëzve, në mënyrë që të ndajmë më shumë vlera evropiane në njërën anë dhe mirëqenie e prosperitet për të gjithë njerëzit”, u shpreh Kurti.

“Në veçanti jemi të fokusuar të bëjmë më evropiane lidhjet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të bëjmë proces transparente te reformave dhe bashkëpunimit dhe në të njëjtën kohë të kemi më shumë investime në mënyrë që të punësojmë rininë, që në përgjithësi janë të papunë”, u shpreh Kurti.

“Do të shikoj që gjatë kësaj darke pune që të krijojë kontakte me liderët e tjerë dhe ndoshta për të udhëtuar më shpejt bashkë drejt BE-së, por edhe të afrohen më shumë njohjes së Republikës së Kosovës, që është në të mirë jo vetëm të vendit tonë por edhe paqen, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në Evropë”, tha Kurti.

Darka me liderët e rajonit, Borrell: BE të tregojë përkushtimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor