Lajme

Kurti: Ndërgjegjësojmë shoqërinë, luftojmë dhunën gjinore – Çdo grua dhe vajzë meriton liri dhe barazi

11/25/2024 22:17
nga:G C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpallur fillimin e fushatës “16 Ditë të Aktivizmit Kundër Dhunës në Baza Gjinore”, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe angazhimit për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe barazinë gjinore, raporton GazetaBlic.

Kurti ka bërë thirrje për një shoqëri ku çdo grua dhe vajzë ka të drejtën të jetojë e lirë, pa frikë, dhe të ëndërrojë për një të ardhme më të mirë.

Në këtë fushatë, Kurti thotë se qeveria e Kosovës po ndërmerr hapa konkretë për të luftuar dhunën gjinore dhe për të fuqizuar gratë.

Kryeministri theksoi se po forcohen ligjet, rritet mbështetja për strehimoret, dhe po punohet për fuqizimin ekonomik të grave. Po ashtu, viktimat e dhunës po mbështeten me ndihmë dhe mbrojtje ligjore.

Kurti e përmbylli fjalën e tij duke theksuar se lufta kundër dhunës është një betejë e përbashkët për të gjithë, dhe se një shoqëri e lirë nga dhuna është një shoqëri më e fortë dhe më e drejtë.