Lajme

“Kurti mund ta pranojë marrëveshjen, nëse merr një ofertë të jashtëzakonshme”

09/20/2022 20:02
nga:Genita C

Analisti politik, Dritëro Arifi thotë me plot bindje se kryeministri Kurti nuk do të pranojë asnjë marrëveshje, që në fokus nuk e ka njohjen reciproke.

Në një prononcim për GazetaBlic, Arifi thotë se nuk është e drejtë që 11 vite të kalojmë duke dialoguar për tabela dhe targa, e në fund të arrihet marrëveshje gjysmake.

“Sa i përket kornizës së re të dialogut, edhe pse nuk ka asgjë të konfirmuar nga BE, unë nuk besoj që Kurti do të pranojë marrëveshje, nëse në fokus nuk e ka njohjen reciproke”, tha Arifit.

“Kurti ka plotësisht të drejtë, nuk mundemi që 11 vite të dialogojmë për tabela dhe targa dhe në fund të kemi një marrëveshje gjysmake. Kjo nuk prodhon paqe dhe stabilitet afatgjatë, kjo vetëm e kontrollon një “marrëveshje” për bashkëpunim, por në thelb gjithmonë krijon probleme në të ardhmen e afërt”, shtoi tutje Arifi.

Arifi thotë se Kurti mund të pranoj marrëveshje të tillë, nëse BE-ja vjen me ofertë të jashtëzakonshe, siç është njohja nga pesë vendet.

“Unë besoj që Kurti nuk do të pranojë një marrëveshje të tillë që në fokus nuk e ka njohjen reciproke, vetëm nëse nga Bashkimi Evropian vjen ndonjë ofertë jashtëzakonisht e frytshme për Kosovën, siç mund të ishte njohja nga pesë vendet”, tha Arifi.

Në anën tjetër, Gazmir Raci, njohës i çështjeve politike i tha GazetësBlic që një marrëveshje reciproke mes Kosovës e Serbisë, të arrihet brenda këtij viti, sipas tij është pothuajse e pamundur.

“Brenda këtij viti është e pamundur që të arrihet marrëveshja, për shkak se dokumenti i cili u publikua ishte shumë serioz dhe me aq sa kam parë ishtë propozim konkret si me zgjedh problemin mes Kosovës dhe Serbise, dhe si me jau hap rrugët Kosovës për BE dhe NATO”, tha Raci.

Raci thotë se, për Kosovën është shumë e rëndësishme siguria kolektive që na e garanton NATO-ja sesa, njohja nga Serbia.

Sipas tij, Kosova mund të jetojë edhe pa njohjen e Serbisë.

“Kjo është me rëndësi sepse ne mund të jetojmë edhe pa njohjen e Serbisë sepse për ne është shumë më e rëndësishme siguria kolektive që na e garanton NATO-ja dhe prespektiva jonë që është ajo evropiane”, tha Raci për GazetaBlic.

“Korniza e re e dialogut”, opozita: Marrëveshje të tilla janë publikuar edhe më parë dhe janë demantuar, kjo e fundit nuk është sjellur në tavolinë për ta trajtuar