Lajme

Kurti me ngushëllime familjes së Adem Gashit: Ishte mik i popullit shqiptar, i vuajtjeve të shoqërisë sonë

01/19/2024 16:19
nga:Sh R

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë paradites qëndroi për vizitë te familja e poetit të njohur, Adem Gashi, i cili u nda nga jeta të martën e 16 janarit.

Me këtë rast, bëhet e ditur se i pari i qeverisë u shpreh se Adem Gashi ishte “mik i popullit shqiptar, i vuajtjeve të shoqërisë tonë, i Kosovës së tij e tonë të dashur, dhe rrjedhimisht i secilit prej neve”.

“Vepra e tij, për ne dhe kujtimet tona për të janë gjurmë të thella që bëjnë dritë. Mendja e mprehtë, puna e zellshme, atdhedashuria e paepur dhe miqësia e përhershme e shkrimtarit Adem Gashi, janë kontribut fort i çmueshëm për kombin dhe shoqërinë tonë”, ka shkruar Kurti në librin e zisë, gjatë vizitës së tij tek familja Gashi.

Tutje kryeministri shtoi se të ndjerin do ta kujtojmë me respekt për punën, përkushtimin dhe gjurmët e thella që ka lënë te populli ynë, duke theksuar se veprat e tij janë ato që do të bëjnë përherë dritë për kontributin e dhënë për Kosovën e tij të dashur.