Lajme

Kurti me mërgatën në New Jersey: SHBA miku e partneri i pazëvendësueshëm

10/01/2024 07:29
nga:G B

Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar mërgatën shqiptare për mikpritjen e ngrohtë gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka thënë se qëndrimi atje shkoi përtej takimeve bilaterale me vende mike e partnere.

Sipas Kurtit Mërgata e gjerë shqiptare atje, e mirëpriti në New Jersey dhe në Waterbury të Connecticut, në organizime madhështore, të mbushura me atmosferë festive e kombëtare, e ku u mblodhën për të bashkëbiseduar për të tashmen e të ardhmen e Kosovës dhe për të ndarë eksperiencat e përbashkëta.

“Kosova është histori e dyfishtë suksesi: i intervenimit të NATO-s që e ndali gjenocidin e Serbisë si dhe rritjes ekonomike të kombinuar me progres demokratik. Për të dy këto rrëfime të suksesit, në zemër të tyre i kemi SHBA-të, që janë aleati, miku dhe partneri ynë më i madh dhe i pazëvendësueshëm, edhe për çlirim e pavarësim, por edhe për zhvillim e demokratizim, e me të cilët ne gjithnjë ndajmë vlera, interesa, parime dhe qëllime të përbashkëta. E diaspora jonë, luan një rol fort të rëndësishëm, si pikëlidhje e fuqishme dhe bosht kryesor i marrëdhënieve me SHBA-të”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai tutje shprehu mirënjohje për kryetarin e Qytetit të Waterbury, Paul K. Pernerewski Jr., nga i cili e pranoi ‘Çelësin e Qytetit;, si dhe për senatorin amerikan Richard Blumenthal, për fjalët e tij “sa të fuqishme aq edhe përkrahëse mbi përkushtimin e SHBA-ve ndaj Kosovës dhe mbështetjen e pareshtur”, si dhe prezencën e ambasadorit William Walker, të cilin e quajti ‘mik të përjetshëm të popullit tonë liridashës’.

“Bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, zëvendësen e saj Liza Gashi, dhe Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, Blerim Reka, falënderuam përzemërsisht Qendrat Kulturore Shqiptaro-Amerikane ‘Struga’ dhe ‘Hasan Prishtina’, që na mblodhën me njëri-tjetrin, për të kaluar momente të paharrueshme”, ka shkruar tutje Kurti, teksa ka publikuar edhe një video nga kjo pritje e mërgatës shqiptare.