Lajme

Kurti: Sot në Shkup nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi të cilat lehtësojnë jetën e qytetarëve tanë

09/16/2021 18:28
nga:Y I

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka ndarë pamje nga takimi i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut sot në Shkup, raporton Gazeta Blic.

Kurti ka bërë të ditur se janë nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi për mërgatën, turizmin, energjinë, ekonominë, ndërmarrësinë e inovacionin, sigurinë, transportin dhe bashkëpunimin ndërkufitar.

“Kjo mbledhje e parë është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë më intenzive të bashkëpunimit të ndërsjellë por edhe shprehje e vlerësimit për marrëdhëniet tona të mira fqinjësore” shkruan Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

Në mbledhjen e sotme ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të parën në historinë e dy shteteve tona të pavarura, nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi për mërgatën, turizmin, energjinë, ekonominë, ndërmarrësinë e inovacionin, sigurinë, transportin dhe bashkëpunimin ndërkufitar.

Si dy shtete demokratike ne ndajmë aspirata të përbashkëta për integrim në Bashkim Evropian, sikurse ndajmë edhe përkushtimin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, padrejtësitë dhe pabarazitë në të dy anët e kufirit.

Kjo mbledhje e parë është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë më intenzive të bashkëpunimit të ndërsjellë por edhe shprehje e vlerësimit për marrëdhëniet tona të mira fqinjësore.

Marrëveshjet e sotme, sikurse ajo për rrugën Prizren – Tetovë dhe lidhja Brezovicë – Popova Shapkë (Kodra e diellit) dhe Rehabilitimi i tampon zonës kufitare në Han të Elezit, do të lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit. Këtë e kemi obligim politik dhe përgjegjësi institucionale.

E rëndësisë së veçantë është marrëveshja SOFA, e cila rregullon statusin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, që mundëson hyrjen dhe daljen, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të FSK-së në territorin e Maqedonisë e Veriut.

Kjo do të jetë e dobishme për të dy shtetet pasi siç kemi parë edhe këtë vit, FSK përtej të qenit partner e aleat i rëndësishëm ushtarak, mund të ndihmoj qytetarët edhe në operacione të shpëtimit.

Falënderoj kryeministrin Zoran Zaev për mikpritjen, ndërsa për mbledhjen e radhës do ta kem nderin ta pres në Prishtinë.