Lajme

Kurti: Më 1 tetor 1997, studentët shqiptarë rikthyen dinjitetin

10/01/2022 13:49
nga:Y I

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 25 vjetorin e protestës studentore te vitit 1997.

Ai theksoi se kjo lëvizje përshpejtoi përpjekjen drejt çlirimit të vendit.

Kurti në shkrimin e tij në Facebook tha se studentët me 1 tetor 1997 rikthyen dinjitetin

“Ne, marshuam paqësisht, për lirimin e hapësirave të ndaluara të kampusit universitar, drejt rrugës për arsim e edukim të lirë, të drejta të patjetërsueshme, liri e pavarësi” shkruan Kurti në Facebook raporton Gazeta Blic.

Postimi i plotë:

Në 25 vjetorin e protestës studentore paqësore të 1 tetorit 1997, me filmin dokumentar mbrëmë dhe me homazhe sot, kujtuam Profesor Ejup Statovcin, ish rektor i Universitetit të Prishtinës, akademik i qëndresës, i cili na priu për ndryshime demokratike e kombëtare.

Studentët nuk ishin vetëm, sepse e kishin një figurë të jashtëzakonshme si Profesori Ejup. Ai i cili dekadat e jetës së tij, ia dedikoi Universitetit, Kosovës, popullit dhe mbarë kombit shqiptar.

Më 1 tetor studentët shqiptar rikthyen dinjitetin. Nga heshtja e ndër padrejtësi, u ngritën me madhështinë e vullnetit për të jetuar të lirë. Një lëvizje studentore që përshpejtoi përpjekjen drejt çlirimit të vendit.

Ne, marshuam paqësisht, për lirimin e hapësirave të ndaluara të kampusit universitar, drejt rrugës për arsim e edukim të lirë, të drejta të patjetërsueshme, liri e pavarësi.

I kujtojmë e nderojmë përherë profesorët e studentët e protestës së 1 tetorit, atyre që patën guxim, që sfiduan okupimin serb dhe e bënë rezistencën aktive.