Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë ka listuar 10 të arriturat e Qeverisë së tij përgjatë këtij viti.
Kurti të parën e ka përmendur liberalizimin e vizave për kosovarët nga BE-ja, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani si dhe njohjen e pasaportave të Kosovës nga dy shtete mosnjohëse, Spanja dhe Armenia.
Tutje si arritje të dytë, Kurti përmendi inkasimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit e konvertimin e patentë shoferëve ilegal në ato RKS.
Tutje Kurti ka përmendur edhe shkëputjen nga blloku energjetik me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe bashkimin me bllokun energjetik bashkë me Shqipërinë.
Shëndetësia publike është renditur si arritja e katërt duke përmendur këtu edhe ligjin për Çmimin e Unifikuar të Barnave.
Rritja e pensioneve për 30 për qind është listuar si arritja e pestë për këtë vit nga kryeministri Kurti, e më pas siç tha ai dyfishimi e trefishimi i shtesave për fëmijë, e ndarja e njëhershme nga 100 euro për mbi 400 mijë fëmijë deri në 16 vjeç, është renditur si arritja e gjashtë.
Si e shtata arritje siç i ka cilësuar kryeministri është renditur rritja e pagës minimale që tha se u bë pas 13 vjetësh si dhe rritja e pagave në sektorin publik qe do të bëhet në dy faza, në janar e qershor të vitit që vjen me nga 55 euro në secilën fazë.
Tjetër të arritur kryeministri e listoi funksionalizimin e Institutit për Dokumentimin e Krimeve gjatë Luftës që tha se gjatë këtij viti ka grumbulluar materiale të shumta fizike arkivore e digjitale, që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës. Nënshkrimin e kontratës për hartimin e mastar planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari dhe vendimin për themelimin e Muzeut të Gjenocidit.
Si arritje e nëntë nga kreu qeveritar është renditur procesi i regjistrimit të popullsisë që tha se u krye me sukses duke e quajtur një ndërmarrje të jashtëzakonshme institucionale e tejet të rëndësishme për vendin.
Kjo top dhjetëshe e prezantuar nga kryeministri Kurti përmbyllet me nënshkrimi e kontratës me prodhuesin shtetëror turk për funksionalizimin e fabrikës së municioneve.
“Krahas rritjes së numrit të ushtarëve, fuqizimit të ushtrisë dhe blerjes së armatimeve, bëmë edhe një hap të madh në vendosjen e themeleve të industrisë sonë të mbrojtjes duke nënshkruar kontratë me prodhuesin shtetëror turk MKE, për funksionalizimin e fabrikës së municioneve”, tha ai.
Kryeministri u ka bërë thirrje të gjithë ministrave të tij që të bëjnë listimin e top pesë arritjeve të secilit në dikasteret që drejtojnë e të njëjtat t’i prezantojnë para qytetarëve.