Ndonëse kryeministri Albin Kurti la seancën ku po mbahet vetëm një pikë e rendit të ditës, shqyrtimi i buxhetit për vitin 2025, përplasjet mes pushtetit dhe opozitës nuk u ndalën.
Replika e kundër replika më së shumti pati në mes të ministrit të Financave, Hekuran Murati me deputetët e opozitës.
E me i ashpëri ndaj Muratit ishte deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili, e ka kritikuar ministrin e Financave, për deklaratat e tij ku se Kosova është shkatërruar për dy dekada.
“Është problematike se ky debaton me fanatizëm. Nuk është i interesuar për të vërtetat. Dhe për të argumentuar mbi faktet dhe për të dal te e vërteta. Ky me fanatizëm mbron pozicionet e veta. Edhe vazhdon me atë propagandën e poshtër të ultë, me sa fytyrë del në foltore edhe iu thu njerëzve që u shkatërrua Kosova që 20 vite.
Me 13 mijë njerëz të vrarë, e njerëz pa gjymtyrë. E me krejt shtëpitë , shkollat e rrugët të shkathtësuara. Ti thu Kosova është shkatërruar gjatë krye 20 viteve. Kur i shtron këtu në foltore të Kuvendit, nuk ka vend për debat më”, ka thënë Hoti.
Kjo kritikë e Hotit erdhi, pasi Murati pati deklaruar se çka është shkatërruar për 20 vjet “mund të rregullohet për një mandat”.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku kritikoi Qeverinë Kurti për keqqeverisje, duke e quajtur buxhetin për vitin 2025 një planifikim të dështuar që nuk sjell përfitime për qytetarët.
Edhe deputetja e tjetër e LDK-së, Hykmete Bajrami pati kritika ndaj Muratit.
Ndërkaq, deputetëve të opozitës u janë kundërpërgjigjur edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolle.
“Del trego sa të ka kushtuar energjia elektrike në veri. Unë po e them këtë, kush është e pavërtetë këtu, po e themi sipas pasqyrave financiare të KOST-it, 4.5 milionë 2019, 8.7 2020, 2021 52 milionë, 2022 78 milionë, 2023 33.5 milionë. Cila është e pavërtete del thuaje”, i reagoi Bajrami ministres Rizvanolli.