Lajme

Kurti: Kosova s’mund të jetë shtet i së drejtës në kuptimin e plotë pa u zbardhur rasti i Astrit Deharit

11/05/2023 14:21
nga:G C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përkujtuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharin, me rastin e 7-vjetorit të vdekjes së tij.

Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se Kosova nuk mund të jetë shtet i së drejtës në kuptimin e plotë pa u zbardhur rasti i Astrit Deharit e raste të tjera.

Ai u ka bërë thirrje prokurorisë e gjyqësorit që t’i trajtojnë me urgjencë padrejtësitë dhe krimet e kurrsesi t’i zvarrisin ato me muaj e me vite.

“7 vjet pa aktivistin, studentin, patriotin shembullor, Astrit Deharin.7 vjet prej kur morëm lajmin e kobshëm se shokun tonë, aktivistin e Lëvizjes, studentin shembullor të mjekësisë, Astrit Deharin, e kanë mbytur në burgun e Prizrenit. 7 vjet më vonë Kosova ka shënuar progres sa i përket demokracisë e lirisë e sundimit të ligjit mirëpo Kosova nuk mund të jetë shtet i së drejtës në kuptimin e plotë pa u zbardhur rasti i Astrit Deharit e raste të tjera, dhe pa u dënuar përgjegjësit e krimit. Drejtësia, prokuroria, gjyqësori duhet t’i trajtojnë me urgjencë padrejtësitë dhe krimet në vendin tonë e kurrsesi t’i zvarrisin ato me muaj e me vite. Lavdi jetës dhe veprës së Astritit, dëshmorit tonë të ri, ideali i të cilit do të jetë udhërrëfyes i përhershëm për Lëvizjen tonë”, u shpreh Kurti.

Kurti, ka thënë se ndonëse drejtësia për Astritin mund të vonojë siç thekson ai, e mund të pengohet nga jashtë e brenda sistemit, por e njëjta nuk do të harrohet.

Në një mbledhje të pikave të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti potencon se vrasja e qindra idealistëve në burgjet e Kosovës dhe jashtë saj, para luftës apo në fushëbeteja gjatë luftës solli rendin e tyre që e ka emrin liri.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit e njëkohësisht kryetari i LVV-së, Albin Kurti, thotë se vrasja e Mon Balajt, Arben Xheladinit dhe Astrit Deharit pas luftës, i shton lirisë edhe një rend edhe më të lartë, atë të demokracisë e drejtësisë.