Lajme

Kurti: Kosova po pozicionohet në qendër të inovacionit digjital në Evropë

04/30/2025 21:29
nga:Genita C

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar përkushtimin e qeverisë ndaj zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit, me rastin e lansimit të Qendrës për Ekselencë në Inovacion Digjital, raporton GazetaBlic.

Ai tha se kjo iniciativë është një dëshmi konkrete e mbështetjes institucionale për sektorin e teknologjisë, duke vlerësuar potencialin e madh që Kosova ka në këtë fushë për ta forcuar pozicionin e saj në hartën evropiane të kulturës inovative.

“Me ritëm të shpejtë po lëvizim drejt praktikave më inovative,” tha Kurti, duke shtuar se përkrahja e Bashkimit Evropian në këtë drejtim është thelbësore, jo vetëm si partner, por edhe si orientim strategjik për Kosovën.

Kurti vlerësoi se ky hap është vetëm fillimi i një transformimi më të gjerë teknologjik që synon rritjen e konkurrueshmërisë, nxitjen e kreativitetit dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë e vendit.