Lajme

Kosova pjesë e iniciativës globale Pall Mall, Kurti: Bashkohemi me koalicionin demokratik kundër abuzimit teknologjik

7 ditë më parë
nga:Y I

Kosova i është bashkuar Procesit Pall Mall, duke u bërë shtet mbështetës i Kodit të Praktikave për Shtetet në kuadër të këtij procesi.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri në detyrë Albin Kurti përmes një postimi në Facebook, raporton “Gazeta Blic”.

Procesi Pall Mall është një iniciativë e përbashkët e Qeverisë britanike dhe asaj franceze, e lansuar në shkurt 2024, për të adresuar përhapjen dhe përdorimin e papërgjegjshëm të kapaciteteve komerciale për ndërhyrje kibernetike.

Njoftimi i plotë:

Republika e Kosovës i bashkohet Procesit Pall Mall duke u bërë shtet mbështetës i Kodit të Praktikave për Shtetet në kuadër të këtij procesi.
Procesi Pall Mall është një iniciativë e përbashkët e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së Francës, e lansuar në shkurt të vitit të kaluar, që bën bashkë vendet demokratike të përkushtuara për të adresuar përhapjen dhe përdorimin e papërgjegjshëm të kapaciteteve komerciale për ndërhyrje kibernetike.

Keqpërdorimi i këtyre teknologjive paraqet rrezik serioz për të drejtat e njeriut, sigurinë kombëtare dhe stabilitetin ndërkombëtar. Kodi i Praktikave për Shtetet u lansua zyrtarisht në Takimin e Dytë të Procesit Pall Mall, i mbajtur në Paris më 3–4 prill 2025. Ky Kod përcakton parime udhëzuese për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes, duke promovuar sjellje të përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike.

Me mbështetjen e këtij Kodi, Kosova i bashkohet një koalicioni në rritje të vendeve demokratike që punojnë për të siguruar që mjetet kibernetike të përdoren në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet për të drejtat e njeriut.