Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalës së tij në seancën solemne të Sesionit të 36-të të Asamblesë Rajonale të Evropës, të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, tha se Kosova është një vend ku mund të gjenden vlerat rrënjësore që i ndajnë me botën e frankofonisë.
Ai tha se përkundër dëshirës për tu avancuar nga anëtare e asociuar në anëtare të plotë të Organizatës Botërore të Frankofonisë, Kosova nuk ka mundur të përmbushë të gjitha detyrat e nevojshme për të fituar këtë status.
“Është e kuptueshme që jo gjithçka varet nga vendimet e Kosovës duke pasur parasysh që duhet të ketë edhe disa vlerësime politike që lidhen me kriteret e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Në këtë drejtim të gjithë i dimë veçoritë historike e të sigurisë mbi sfidat që prekin të gjithë rajonin përkundër gatishmërisë së dëshmuar të Kosovës për kontribuuar në të gjitha aspektet e bashkëpunimit rajonal”, tha kryeministri.
Kreu qeveritar tha se në luftën aktuale hibride globale në të cilën po jetojmë nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë, prosperitet për të gjithë e bashkëpunim të duhur pa trajtuar në mënyrë efektive manipulimin e informacionit dhe sulmet kibernetike. “Dhe këtu do të mësoni se nuk bën përjashtim as Kosova si cak i sulmeve të tilla”, tha kryeqeveritari, përballë delegacionit frankofon që zunë ulëset e deputetëve të Kuvendit.
Kreu qeveritar atyre u përmendi faktin se ndonëse Kosova ka rreth 93 për qind popullsi shqiptare megjithatë jetëson një shkallë të lartë respekti për shumë gjuhësinë dhe multikulturalizmin derisa përmendi se nga 120 ulët parlamentare, 20 janë të rezervuara për pakicat etnike.
“Mund të tingëllojë e çuditshme të dëgjoni se sot jemi vetëm një çerek shekulli nga çlirimi i Kosovës e më pak se 17 nga pavarësia e vendit tonë. Duke iu drejtuar këtu ku shumica prej nesh ende ka një kujtim të freskët të viteve të errëta të fundshekullit të 20 dëshiroj të theksoj se demokracia, të drejtat themelore të njeriut dhe paqja nga të cilat të gjithë ishim të privuar atë kohë kanë sot një kuptim shumë të çmuar për ne. Ndër këto vlera fondamentale më lejoni të nënvizoj që edhe pse popullsia e Kosovës është rreth 93 për qind shqiptare vendi ynë jetëson një shkallë të lartë respekti për shumë gjuhësinë dhe multikulturalizmin që është e ngërthyer në kushtetutën tonë dhe vërehet në çdo ligj shtetëror, ndërkaq 20 nga 120 ulëse në Kuvend janë të rezervuara për pakicat etnike”, shpjegoi ai.
Kryeministri ka treguar se Kosova synon që prapë pas dy vjetësh të aplikojë për marrjen e statusit të anëtarit me të drejta të plota të organizatës frankofone.
“Prandaj në pritje të samitit të ardhëm të vitit 2026 kur Kosova synon të aplikojë sërish për marrjen e statusit të anëtarit me të drejta të plota, qeveria jonë e komunat duhet të fillojnë të punojnë së bashku për të gjetur një mënyrë për të adresuar rënien e orëve të mësimit të gjuhës frënge në mbarë vendin”, tha Kurti.