Lajme

Kurti: Kosova aplikon për statusin e vendit kandidat të BE-së brenda këtij viti

06/30/2022 22:50
nga:Genita C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim deputetin e parlamentit gjerman nga radhët e Partisë Social Demokrate (SPD), Metin Hakverdi.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit në një komunikatë për media gjatë takimit, u bisedua për situatën aktuale politike dhe atë ekonomike si në vend ashtu edhe më gjerë.

Tutje bëhet e ditur se Kurti e ka njoftuar deputetin Hakverdi me masat e ndërmarra në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike si përgjigje ndaj inflacionit të importuar dhe në ndihmë të qytetarëve, duke veçuar vendimin e fundit për vendosjen e tavanit të çmimit të naftës.

“Kryeministri Kurti dhe deputeti Hakverdi folën gjithashtu për vizitën e Kancelarit Scholz në Kosovë dhe takimin dypalësh në Zyrën e Kryeministrit, si dhe për perspektivën e Ballkanit Perëndimor për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës do të aplikojë për statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian brenda këtij viti”, njofton ZKM-ja.

“Deputeti Hakverdi, anëtar i Bundestagut gjerman që nga viti 2013, e falënderoi për mirëpritjen edhe e përgëzoi kryeministrin Kurti për arritjet në fushën e ekonomisë. Ai shprehu mbështetjen e Gjermanisë për proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian”, vazhdon tutje njoftimi.

Krejt në fund bëhet e ditur se në këtë takim u fol edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet socialdemokratëve.​