Lajme

Kurti konfirmon shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese për Vetingun

03/27/2024 11:06
nga:G C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se pas dhjetë muajve siç ka thënë ai pritje, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka shqyrtuar amendamentet për Vetingun.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka thënë se ky proces ligjor po merr rrugë.

“Në përmbyllje të vitit të tretë, pas një pritje më shumë se 10 muajsh deri sa Gjykata Kushtetuese e trajtoi lëndën, më në fund kemi konfirmimin mbi amendamentet kushtetuese për Vetingun. Pra Vetingu i shumëpritur e tejet i nevojshëm po merr rrugë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, kërkesë kjo e cila ka shkruar se po vazhdon në gjykatë tash e një vit.

“Por pritja për shqyrtimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilin e kemi miratuar në shkurt të vitit 2023, nga po e njëjta gjykatë po vazhdon për më shumë se një vit”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur edhe procese tjera të cilat janë kryer gjatë qeverisjes së tij.

“E kur gjërat janë varur nga ne, punët kanë ecur më shpejt. Kemi themeluar dhe funksionalizuar Gjykatën Komerciale, siç patëm premtuar, dhe kemi miratuar në qeveri projektligjin për themelimin e Gjykatës Administrative, siç kemi premtuar. E kemi themeluar dhe funksionalizuar Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë. Në janar të këtij viti u bë edhe pranim dorëzimi i dokumenteve të para në këtë Institut. Po ashtu, kemi mundësuar gjykimin në mungesë për kriminelët e luftës”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.