Lajme

Kurti, komandantit të KFOR-it për dinarin: BQK-ja, institucion i pavarur – qeveria s’duhet të ndikojë në vendimmarrjen e saj

02/03/2024 20:22
nga:G B

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar sot komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Ozkan Ulutas, me të cilin folën për situatën e sigurisë në vend.

Kurti e Ulutas folën edhe për vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, me të cilin ndalohet qarkullimi i dinarit serb në vend, ku Kurti tha se BQK-ja është institucion i pavarur dhe se qeveria s’duhet të ndikojë në vendimmarrjen e saj.

“Lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore, kryeministri tha se Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur e profesional dhe se Qeveria nuk mund e nuk duhet të ndikojë në vendimmarrjen e saj. Në këtë drejtim theksoi rëndësinë e ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së institucioneve publike dhe funksionimit të pavarur e të pandikuar të tyre”.

“Kryeministri foli edhe për rëndësinë e luftimit të pastrimit të parave dhe kriminalitetit dhe tha se Kosova EURO-n si valutë e ka marrë nga Bashkimi Evropian. Qeveria mbështet zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në gjithë vendin. Përveçse për ligjshmëri e rregull, kujdeset edhe për paqe dhe siguri”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Tutje, Kurti tha se mirëqenia dhe siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës është prioritet i qeverisë dhe sipas tij, kjo e fundit do të kujdesët që qytetarët të mos ndikohen negativisht nga vendimet e institucioneve dhe se siguroi se çdo ankesë do të trajtohet me seriozitet.